Ramadan Nishori, i mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka rrëfyer publikisht vuajtjet që ka përjetuar, duke ndarë për herë të parë detaje të dhimbshme nga jeta e tij.
Ai ishte i burgosur nga regjimi serb në disa burgje, duke përfshirë atë të Prishtinës dhe Lipjanit, përpara se në maj të vitit 1999 të transferohej në burgun famëkeq të Dubravës. “Përjetova një masakër. Në atë kohë, vdekja për mua ishte paqe”, shprehet ai.
Pas lirimit nga burgu më 16 mars 2001, falë ndërmjetësimit të Kryqit të Kuq, Nishori u martua. Ai thotë se martesa i dha shpresë për të ndërtuar një jetë të re, por e kaluara mbeti një barrë e rëndë.
“Jetojsha me prindërit dhe vëllezërit. Pasi u martova, i premtova vetes se do ta lë të kaluarën pas dhe do të nis një fillim të ri, por ishte e pamundur. Çdo natë më rikujtohej ajo që më kishte ndodhur. Jetojsha me frikën se mos dikush e merrte vesh për rastin tim”, rrëfen ai.
Natën, ai dilte nga shtëpia për të çliruar dhimbjen në heshtje.
“Iksha natën. Qajsha, bërtitsha, çfryjsha dhe pastaj kthehesha në shtëpi. Thojsha me vete: ‘Jam burrë, s’duhet me ditë askush për këtë që kam përjetu’. Isha shumë i mbyllur në vete, i frikësuar nga paragjykimi dhe bullizimi.”
Një natë, ai vendosi t’i tregojë bashkëshortes për gjithçka kishte kaluar.
“Ajo më tha: ‘Po të mundon diçka’. Pa menduar gjatë, ia tregova. I thashë se kur u arrestova, në stacionin e policisë në Drenas ndodhi për herë të parë. Ajo heshti, nisi të qante në heshtje dhe nuk foli më asgjë atë natë. Të nesërmen, më tha: ‘Dan, luftë ka qenë dhe kjo mund t’i ndodhte kujtdo. Deri sot ke pasë përkrahjen time, e prej sot e tutje do ta kesh edhe më shumë’.”
Pas këtij momenti, ai dhe bashkëshortja vendosën t’ia tregojnë të vërtetën vajzës së tyre.
“E thirra vajzën për një kafe. Flutura është shtylla e shtëpisë sonë. S’munda t’i flas me fjalë, prandaj ia vendosa para vendimin e Komisionit Qeveritar që më njeh si të mbijetuar të dhunës seksuale. Ajo, sapo e pa, më tha: ‘Babush, unë për këtë e di që 3-4 vjet. Çdoherë më ke në krah’. U ngrit, më përqafoi dhe në atë moment u ndjeva i liruar. Si të më ishin hequr 500 kilogramë nga shpina.”
Më vonë, ai u tregoi gjithçka edhe djemve, dhe për herë të parë, u ndje si “një baba i vërtetë”.
Pas lirimit, ai jetonte me qira në Fushë Kosovë. Me kalimin e kohës, vendosi të shpërngulet në Mal të Zi, duke ndjerë pamundësinë për të hyrë në organizatën që mbron të mbijetuarit e dhunës seksuale.
“Kam shkuar dhjetëra herë, por nuk e merrsha dot guximin për të hyrë. Më mirë me ikë prej Kosovës, mendova. E mora familjen dhe shkuam në Mal të Zi. Por edhe atje, gjuha më pengonte shumë. U kthyem prapë.”
Pikë kthese për të ishte një intervistë me Vasfije Krasniqin.
“E pashë Vasfijen në një intervistë. Për mua ajo është një heroinë e gjallë. E admiroja shumë, thojsha: ‘Shiko si flet, si çlirohet’. I shkrova dhe ajo ma ktheu menjëherë. Faleminderit për këtë.”