09.01.2026
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ka në plan t’i falë dënimin reperit dhe producentit Sean “Diddy” Combs, pavarësisht se ky i fundit i ka dërguar personalisht një letër me kërkesë për falje presidenciale.
Gjatë një interviste dyorëshe me gazetarët e The New York Times, më 7 janar, Trump u pyet për disa figura të njohura që aktualisht ndodhen në burg, përfshirë edhe Combsin. Ai konfirmoi se ka pranuar një kërkesë me shkrim, por theksoi se nuk po e shqyrton mundësinë e faljes.
“Ai më ka kërkuar falje përmes një letre”, u shpreh Trump. Kur u pyet për kohën kur ishte dërguar letra, ai reagoi duke thënë: “Oh, doni ta shihni atë letër?”, pa e bërë atë publike.
Presidenti amerikan kishte folur edhe më herët për këtë çështje. Më 6 tetor, gjatë një deklarate nga Zyra Ovale, Trump tha se themeluesi i labelit “Bad Boy Records” i kishte kërkuar falje, në një kohë kur Combs po vuan një dënim 50-mujor burgimi në New Jersey, ndërsa njëkohësisht ka apeluar si dënimin, ashtu edhe vendimin e gjykatës.
Nuk është e qartë nëse Combs i ka dërguar ndonjë kërkesë të re Trumpit pas këtyre deklaratave.
Ndërkohë, në një deklaratë për USA TODAY më 21 tetor, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i kishte mohuar raportimet se presidenti po shqyrtonte uljen ose faljen e dënimit të Combsit.
“Nuk ka asnjë të vërtetë në këto raportime. Presidenti, dhe jo burime anonime, është vendimmarrësi final për faljet dhe uljet e dënimeve”, thuhej në deklaratë.
Trump ka pranuar gjithashtu se marrëdhënia e tij me Diddyn është përkeqësuar ndër vite. Në një intervistë për Newsmax më 1 gusht 2025, ai deklaroi se komentet kritike të Combsit gjatë mandatit të tij të parë presidencial e kanë bërë të pamundur një qasje pozitive ndaj çështjes së faljes.
“Ne kishim marrëdhënie shumë të mira. Më dukej njeri i sjellshëm. Nuk e njihja mirë, por kur vendosa të kandidoja për president, ai u bë shumë armiqësor”, ka thënë Trump.
Ai shtoi se nuk është i sigurt për detajet e plota të çështjes ligjore, por konfirmoi se Combs vazhdon të jetë në burg. Kur u pyet drejtpërdrejt nëse kjo do të thoshte një refuzim i qartë për falje presidenciale, Trump u përgjigj shkurt: “Do të thosha po.”
Më 2 korrik 2025, pas një procesi gjyqësor që zgjati gati dy muaj, një juri prej 12 anëtarësh mori një vendim të ndarë. Sean Combs u shpall fajtor për dy akuza për transport për qëllime prostitucioni, të lidhura me ish-partneren e tij Casandra “Cassie” Ventura Fine dhe një grua tjetër të identifikuar në gjykatë si “Jane”.
Ndërkohë, ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, përfshirë shantazh kriminal (racketeering) dhe dy akuza për trafikim seksual.