Para tri javësh, presidenti amerikan Donald Trump shkaktoi tronditje në Evropë duke paraqitur një plan paqeje për Ukrainën me 28 pika, i cili në masë të madhe pasqyronte kërkesat ruse.
Tani udhëheqësit ukrainas janë përgjigjur me një kundërpropozim që kërkon garanci juridikisht të detyrueshme për mbrojtje nga agresioni i ardhshëm rus dhe parashikon që Ukraina të mbajë territoret që aktualisht i kontrollon, shkruan New York Times, duke iu referuar zyrtarëve që e kanë parë planin ose janë informuar për të.
Sipas planit të Trumpit, Ukraina do të dorëzonte gati 5.000 kilometra katrorë në rajonin e Donjeckut dhe 45 kilometra katrorë në rajonin e Luhanskut. Në këmbim, Moska do të kthente rreth 2.000 kilometra katrorë në rajonin e Harkivit, 450 në rajonin e Dnipropetrovskut, 300 në rajonin e Sumit dhe 20 në rajonin e Çernihivit. AFP ka llogaritur se kjo do të sillte një fitim neto prej rreth 2.300 kilometrash katrorë për Moskën.
Plani ukrainas me 20 pika për përfundimin e luftës që po zgjat gati katër vjet, për të cilin nuk pritet që Rusia ta pranojë, është pjesë e përpjekjeve të Kievit për ta bllokuar pikërisht këtë kërkesë, sipas së cilës Ukraina do të duhej të siguronte paqen duke hequr dorë nga territore shtesë që aktualisht nuk janë nën kontrollin rus. Udhëheqësit ukrainas dhe evropianë paralajmërojnë se një rezultat i tillë do ta poshtëronte Ukrainën dhe do ta shpërblente Rusinë për agresionin.
Çfarë propozon Ukraina?
Në paraqitjet e kësaj jave për mediat, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka bërë të ditur se propozimi që aktualisht po diskutohet përbëhet nga tre dokumente. Njëri lidhet me rindërtimin e pjesëve të vendit që janë rrafshuar me tokën, ndërsa tjetri do t’i detyronte Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane që ta ndihmojnë Ukrainën në rast të një sulmi të ri.
Sipas pesë zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve perëndimorë të njohur me planin, propozimi ukrainas ka hequr pjesë të planit fillestar të Trumpit që kalonin vijat e kuqe të Ukrainës. Të gjithë kanë folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve diplomatike.
Konkretisht, dokumenti parashikon që Ukraina të ruajë kontrollin mbi pjesë të Ukrainës lindore që plani i Trumpit i kishte paraparë për dorëzim, sipas dy zyrtarëve të lartë evropianë dhe një ish-zyrtari të lartë amerikan.
Nga propozimi është hequr gjithashtu kërkesa amerikane që Ukraina të heqë dorë nga e drejta për anëtarësim në NATO, kanë konfirmuar një zyrtar i lartë aktual dhe një ish-zyrtar i lartë evropian. Me këtë synohet, të paktën në parim, ruajtja e politikës së dyerve të hapura të NATO-s.
Zelenski: Na duhen garanci efektive të sigurisë
Të dyja ndryshimet ka të ngjarë të jenë të papranueshme për Rusinë, e cila synon të kontrollojë një pjesë më të madhe të territorit ukrainas dhe ta pengojë Ukrainën që ndonjëherë të anëtarësohet në NATO. Gjithashtu supozohet se Trump do të vinte veton ndaj anëtarësimit të Ukrainës nëse Kievi do të paraqiste një kërkesë të tillë.
Propozimet u dërguan të mërkurën në mbrëmje në Uashington për shqyrtim dhe janë rezultat i një aktiviteti intensiv diplomatik të Volodimir Zelenski ditët e fundit, përfshirë takime në Londër, Bruksel dhe Romë, si dhe të paktën një bisedë të liderëve evropianë me Trumpin. Bisedimet pritet të vazhdojnë të hënën në një takim të liderëve evropianë në Berlin.
Zelenski ka konfirmuar se u ka përcjellë negociatorëve amerikanë se garancitë e sigurisë nga propozimi duhet t’i dërgohen Kongresit amerikan në mënyrë që të bëhen juridikisht të detyrueshme. “Dokumenti për garancitë e sigurisë mbi të cilin po punojmë, në fund do të shkojë në Kongres. Na duhen garanci efektive të sigurisë”, u tha ai gazetarëve.
Në një postim të veçantë në rrjetet sociale, Zelenski theksoi se garancitë duhet të jenë mjaftueshëm të forta për të parandaluar një pushtim të ardhshëm rus. Ai nënvizoi se dokumenti duhet të jetë më i fortë se marrëveshja e vitit 1994, e njohur si Memorandumi i Budapestit, i cili i ofroi Ukrainës vetëm “sigurime” të sigurisë në këmbim të heqjes dorë nga armët bërthamore të trashëguara nga periudha sovjetike.
Rusia, gjithashtu nënshkruese e memorandumit, e ka shkelur atë me aneksimin e Krimesë dhe pjesëve të Ukrainës lindore në vitin 2014. “Prandaj është thelbësore që ky dokument për garancitë e sigurisë të japë përgjigje konkrete për atë që i shqetëson më së shumti ukrainasit: çfarë hapash do të ndërmarrin partnerët nëse Rusia vendos sërish të nisë agresion”, ka shkruar Zelenski.
Amerikanët tashmë po kërkojnë ndryshime
Megjithatë, Volodimir Zelenski ka deklaruar se negociatorët amerikanë tashmë kanë filluar të kërkojnë ndryshime në propozimet ukrainase.
Të enjten vonë në mbrëmje, ai tha se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të krijojnë një “zonë të lirë ekonomike” në një pjesë të Donbasit që është nën kontrollin e Ukrainës, ku nuk do të kishte as trupa ukrainase dhe as ruse. Zelenski shprehu skepticizëm ndaj kësaj ideje, pasi ajo nuk do të kërkonte tërheqjen e forcave ruse nga i gjithë Donbasi.
“Kur flisni për kompromis, duhet të ofroni një kompromis të drejtë”, tha Zelenski lidhur me propozimin amerikan.
Zelenski rikujtoi gjithashtu se, sipas Kushtetutës së Ukrainës, çdo heqje dorë nga territori duhet të miratohet përmes referendumit. Sondazhet e fundit tregojnë se shumica e qytetarëve të vendit të goditur nga lufta nuk e mbështesin idenë e dorëzimit të territorit në këmbim të paqes.
Shtëpia e Bardhë: Trump dëshiron veprim
Zëdhënësja e Shtëpia e Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi të enjten se Donald Trump është “jashtëzakonisht i frustruar me të dyja palët në këtë luftë”. “Ai nuk dëshiron më bisedime. Ai dëshiron veprim. Ai dëshiron që kjo luftë të përfundojë”, theksoi ajo.
Bisedimet po zhvillohen në një kohë kur janë shfaqur detaje për një takim të mbajtur në nëntor në Uashington mes drejtorit të FBI-së, Kash Patel, dhe dy zyrtarëve të lartë ukrainas: Rustem Umerov, një zyrtar i lartë i sigurisë që javët e fundit ka udhëhequr delegacionin negociator të Ukrainës, si dhe Oleksandr Poklad, një zyrtar i lartë i shërbimit të brendshëm të inteligjencës ukrainase.
Umerov ishte marrë në pyetje në kuadër të një hetimi për korrupsion në Ukrainë, i cili lidhet me akuzat se një ish-partner biznesi i Volodimir Zelenski-t ka përvetësuar 100 milionë dollarë nga kompania shtetërore e energjisë bërthamore.
Takimi ishte i pazakontë, pasi Umerov, në rolin e tij si negociator, zakonisht nuk do të komunikonte me FBI-në, ndërsa drejtori i FBI-së rrallëherë do të takohej me një zyrtar të huaj të lidhur me një hetim të madh korrupsioni që trazon politikën e vendit të tij. Zëdhënësit e Umerovit dhe të FBI-së kanë refuzuar të komentojnë këto pretendime.