Në një intervistë të gjatë për Politico, presidenti i SHBA-së Donald Trump edhe një herë tregoi se politikën e tij ndaj Evropës dhe Ukrainës e sheh ndryshe nga shumica e liderëve evropianë dhe nga paraardhësit e tij në Shtëpinë e Bardhë. Politico, në zgjedhjen e tij vjetore P28, e shpalli atë personin më me ndikim që po e formëson Evropën, dhe Trump e shfrytëzoi këtë rast për të sulmuar politikën evropiane ndaj luftës në Ukrainë, migrimeve dhe NATO-s, si dhe për të dërguar mesazhe në Moskë, Kiev dhe Bruksel. Ai deklaroi gjithashtu se Evropa – po bie (po rrënohet).
“Rusia është më e fortë, Ukraina po humbet territor, koha po u mbaron”
Duke folur për luftën në Ukrainë, Trump pa dilemë tha se në negociata “Është në pozitë më të mirë” Rusia.
“S’ka asnjë dyshim për këtë. Rusia është në pozitë më të fortë negociuese. Është një shtet shumë më i madh. Kjo është një luftë që nuk do të duhej të kishte ndodhur kurrë. Po të isha unë president, nuk do të ndodhte – dhe katër vitet që isha president nuk ndodhi”, tha Trump.
Ai pretendon se lufta mund të ishte shndërruar në “Luftën e Tretë Botërore” dhe se, sikur ai të mos ishte në pushtet, sot bota do të kishte “një problem shumë më të madh se sa tani”, por shton se edhe tani “është një problem i madh për Evropën” dhe se “nuk po zgjidhet mirë”.
Trump thotë se ekipi i tij prej muajsh po qarkullon midis Moskës dhe Kievit me draftin e një propozimi paqeje, dhe se “njerëzit rreth” Volodimir Zelenskit e mbështesin versionin më të fundit, por se presidenti ukrainas thuhet se ende nuk e ka lexuar.
“Njerëzit e tij janë entuziastë për propozimin. Më kanë thënë se u pëlqen, por se ai ende nuk e ka lexuar. Mendoj se duhet të gjejë kohë ta lexojë. Shumë njerëz po vdesin”, tha Trump, duke shtuar se Zelenski “duhet të fillojë të pranojë gjëra”, sepse “është në një situatë humbëse”.
I pyetur nëse Ukraina tashmë e ka humbur luftën, ai përgjigjet se “që para 10 muajve ka humbur një brez të madh të bregdetit” dhe se ky brez tani “është edhe më i gjerë”.
“Nuk mund ta quani këtë fitore. Do t’ju tregoja hartën, është vërtet shumë territor i humbur”, tha ai.
“Është koha të mbahen zgjedhje”
Trump hapur e akuzon Kievin se po shmang zgjedhjet nën arsyetimin e luftës:
“Mendoj se ka ardhur koha të mbahen zgjedhjet. Ka kaluar shumë kohë. Flasin për demokraci, por vjen një moment kur nuk është më demokraci. Mendoj që populli ukrainas duhet ta ketë atë zgjedhje. Ndoshta Zelenski do të fitonte, nuk e di. Por zgjedhjet janë të rëndësishme.” Intervista e Trump ne Politico ka shokuar Europen dhe Ukrainen .