09.01.2026
Kosova është përballur këtë javë me reshje të gjata dhe intensive shiu, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të përhapuranë disa pjesë të vendit. Qytete, qyteza dhe fshatra janë përmbytur, ndërsa lumenjtë kanë dalë nga shtrati, duke izoluar komunitete të tëra. Shërbimet emergjente kanë ndërhyrë për të shpëtuar persona të bllokuar në shtëpitë e tyre.
Si pasojë e përmbytjeve, banorët në komunat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit kanë mbetur pa furnizim me ujë dhe energji elektrike, pasi uji ka depërtuar në nënstacionet elektrike. Për situatën e krijuar në Kosovë ka raportuar edhe mediumi britanik The Guardian.
Sipas të dhënave meteorologjike, stacione të ndryshme në jugperëndim të vendit kanë regjistruar më shumë se 50 mm reshje brenda 24 orëve gjatë të martës dhe të mërkurës, ndërsa në disa zona të komunës së Malishevës janë shënuar rreth 80 mm shi.
Këto reshje kanë ardhur pas një periudhe të mëhershme shiu intensiv nga e shtuna deri të hënën, gjatë së cilës stacionet zyrtare të motit në Junik dhe Gllogjan kanë regjistruar përkatësisht 231.5 mm dhe 151.6 mm reshje brenda dy ditësh. Situata është përkeqësuar edhe më tej të martën, kur në rajonin e Junikut kanë rënë edhe 130 mm shi, duke shkaktuar rrëshqitje dheu.
Media britanike ka raportuar gjithashtu për motin ekstrem në mbarë Europën, duke bërë të ditur se Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar ka lëshuar paralajmërim të kuq për erëra të forta në Kornuoll dhe Ishujt Scilly, ndërsa Stuhia Goretti ka përshkuar Kanalin. Në jugperëndim të Anglisë janë regjistruar erëra me shpejtësi afër 100 mph, ndërsa në Francën veriperëndimore janë parashikuar goditje të forta, me erëra që në disa zona kanë arritur deri në 132 mph.
Paralajmërime për përmbytje bregdetare kanë qenë në fuqi edhe në brigjet veriore të Brittany, ku janë parashikuar valë deri në 9 metra dhe rritje e nivelit të detit gjatë baticës së lartë.
Stuhia Goretti pritet të vazhdojë lëvizjen drejt lindjes së Europës gjatë fundjavës. Megjithëse erërat e forta mund të dobësohen gradualisht, parashikimet flasin për rrezik të stuhive të borës, me reshje të konsiderueshme bore të mundshme në Gjermani dhe rajonin e Beneluksit. /Express/