Në Qendrën e Numërimit të Votave për deputetë, konkretisht në sallën “1 Tetori”, ka pasur një përplasje verbale mes vëzhguesve lidhur me vlefshmërinë e një vote.
Përplasja ka ndodhur mes vëzhguesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët nuk kanë arritur pajtueshmëri për një votë të kontestuar, duke shkaktuar ndërprerjen e numërimit për rreth 10 minuta.
Situata të tilla nuk janë të rralla gjatë procesit të numërimit. Kujtojmë se ditë më parë, një përplasje fizike mes vëzhguesve të këtyre dy partive çoi në ndërhyrjen e Policisë.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar sot të dhëna të reja për ecurinë e numërimit të votave për kandidatët për deputetë. Sipas KQZ-së, deri në përfundim të ditës së shtunë (15 shkurt 2025), janë numëruar 53.96% e vendvotimeve, përkatësisht 1,367 nga gjithsej 2,533 vendvotime.