Policia ka zbuluar armë dhe municion në fshatin Kashtanjevë të Shtërpcës, pas marrjes së një informacioni për të shtëna armësh gjatë orëve të vona të natës.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 20 prill 2025, rreth orës 00:40, kur njësitë patrulluese të stacionit policor në Shtërpcë u informuan për të shtëna me armë zjarri në këtë zonë. Me të arritur në vendin e ngjarjes, policia hasi një grup prej gjashtë personash që po qëndronin për piknik, për të cilët ekzistonte dyshimi se kishin përdorur armë.
Gjatë kontrollit të kryer, tek të dyshuarit D. F. (40 vjeç) dhe U. A. (25 vjeç), të dy meshkuj nga Kosova, u gjetën dhe u sekuestruan: një pushkë gjahu me tre fishekë dhe pesë gëzhoja, një revole me dy karikatorë dhe 23 fishekë, një tjetër revole me një karikator dhe pesë fishekë, si dhe dy sopata.
Të dyshuarit u shoqëruan në stacionin policor në Shtërpcë, ku u intervistuan. Sipas vendimit të prokurorit të shtetit, ata janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet do të vazhdojnë.