Të burgosurit nga Danimarka pritet të transferohen në Kosovë në vitin 2027

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka bërë të ditur se në vjeshtën e vitit 2027 pritet të pranohen të burgosurit e parë nga Danimarka në Kosovë.

Në një deklaratë për KosovaPress, Dibrani njoftoi se tashmë ka nisur trajnimi i grupit të parë të stafit korrektues, i cili po zhvillohet sipas rregullave dhe sistemit të burgjeve daneze.

Ai theksoi se Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka interes për marrëveshje me shtete të tjera për transferimin e të burgosurve, përveç marrëveshjes ekzistuese me Danimarkën. Po ashtu, Dibrani foli edhe për rastet e parandalimit të kontrabandës brenda burgjeve, duke mos përjashtuar edhe përfshirjen e zyrtarëve korrektues në disa prej këtyre rasteve.

Sipas tij, drejtori i burgut në Gjilan do të jetë Rasim Selmani, ndërsa është përzgjedhur edhe guvernatori nga shteti danez për funksionimin e këtij institucioni korrektues.

“Vjeshta e vitit 2027 është afati kur do të pranohen të burgosurit e parë nga shteti danez. Grupet teknike të Kosovës dhe Danimarkës janë në bashkëpunim të ngushtë, pasi janë themeluar dy komitete drejtuese që po hartojnë planet për funksionimin e burgut. Ka filluar trajnimi i stafit, pasi aty do të respektohet rendi shtëpiak danez. Shumica e stafit do të trajnohet në Danimarkë sipas sistemit të tyre të burgjeve. Përveç përfitimit të praktikave më të mira daneze, do të kemi mundësi që ato t’i aplikojmë edhe në burgjet e tjera në Kosovë, në përputhje me legjislacionin tonë”, deklaroi Dibrani.

Ai shtoi se në këtë burg nuk do të vendosen të burgosur me rrezikshmëri shumë të lartë, persona të dënuar për terrorizëm apo të burgosur me probleme të rënda të shëndetit mendor.

Ndërkaq, buxheti për vitin e ardhshëm parasheh rreth tetë milionë euro për investime kapitale për Shërbimin Korrektues të Kosovës. /KP/