Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi se sistemi i saj i mbrojtjes ajrore ka interceptuar dhe rrëzuar me sukses një sulm raketor drejt Bazës Ajrore Al Udeid, e cila ndodhet në territorin e këtij shteti. Autoritetet theksuan se sulmi nuk shkaktoi as viktima e as lëndime.
Shteti i Katarit dënoi ashpër këtë veprim të Gardës Revolucionare të Iranit, duke e cilësuar atë si një shkelje të qartë të sovranitetit të Katarit, hapësirës së tij ajrore, ligjeve ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Majed al-Ansari, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, deklaroi përmes një postimi në X se:
“Katari rezervon të drejtën për të reaguar drejtpërdrejt dhe në mënyrë proporcionale ndaj këtij akti agresioni.”
Për shkak të rritjes së tensioneve dhe shqetësimeve për një hakmarrje nga Irani pas sulmeve të forcave amerikane një ditë më parë, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur të mbyllin hapësirat e tyre ajrore.