Musliu-Shoshi: Largimi i gazetarëve nga RTK, sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar ashpër pas vendimit për largimin e gjashtë gazetarëve të Radio Televizionit të Kosovës nga ekrani dhe emisionet e tyre.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ajo tha se ky veprim është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë dhe vetë demokracisë në vend.
“Fjala e lirë është themeli i çdo demokracie. Pa të, shteti shndërrohet në aparat propagande, ndërsa qytetari humb zërin dhe dinjitetin e tij. Gazetarët e RTK-së, me profesionalizëm dhe guxim, po dëshmojnë se gazetaria nuk është shërbim ndaj pushtetit, por mision ndaj së vërtetës,” shkroi Musliu-Shoshi.
Ajo shtoi se veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj gazetarëve nuk janë thjesht sulme ndaj individëve, por një goditje e drejtpërdrejtë ndaj demokracisë.
Sipas saj, demokracia nuk bie nga jashtë, por shembet nga brenda, kur pushteti tenton të heshtë kritikën dhe të kthejë median publike në vegël të vet.
Deputetja e PDK-së theksoi se është koha që të gjithë të jenë solidarë me gazetarët profesionistë të RTK-së dhe çdo zë të lirë në vend.
“Duke mbrojtur fjalën e lirë, ne mbrojmë demokracinë, të ardhmen dhe vetë lirinë tonë,” përfundoi Musliu-Shoshi.