LVV në sulm ndaj ambasadorëve të QUINT-it: “Po mbrojnë Listën Serbe për hesape të ngushta”, “ndërhyjnë në gjyqësor”, “pse me i dëgju?”
Lëvizja Vetëvendosje ka drejtuar akuza të rënda ndaj ambasadorëve të vendeve të QUINT-it në Kosovë, duke i akuzuar se po mbrojnë Listën Serbe dhe po ndërhyjnë në punët e brendshme të shtetit.
Anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, tha se diplomatët perëndimorë po i shërbejnë “hesapeve të ngushta” dhe madje “karrierave të tyre politike”. Ai e quajti “koordinim kriminal” vendimin e Gjykatës Supreme që hodhi poshtë ankesën e LVV-së për moscertifikimin e Listës Serbe, duke paralajmëruar se përgjegjësit “do të japin llogari herët a vonë”.
Sami Kurteshi, anëtar tjetër i LVV-së në KQZ, shkoi më tej duke akuzuar ambasadat për “ndërhyrje të drejtpërdrejtë në gjyqësor”. “Nuk ka gjyqtar apo prokuror në Kosovë që do të kundërshtonte një deklaratë të ambasadës amerikane. Kjo flet për mungesën e pavarësisë së gjyqësorit”, tha ai, duke i cilësuar deklaratat e ambasadorëve si “hipokrizi arrogante”.
Në të njëjtën linjë doli edhe Albulena Haxhiu, nënkryetare e LVV-së dhe ish-ministre e Drejtësisë, e cila pyeti publikisht: “Pse me i dëgju qëndrimet e dikujt tjetër?”. Ajo kritikoi ambasadorin gjerman, Jorn Rohde, për komentet e tij mbi investimet në Mitrovicë: “Gabim. Nuk është kjo çështje e ambasadorit gjerman. Nuk mundet ai me na tregu neve çfarë të bëjmë”.
Këto deklarata shënojnë një përplasje të drejtpërdrejtë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe diplomatëve të huaj, të cilët zakonisht kanë pasur rol kyç në proceset politike në Kosovë.