Mungesa e dy të akuzuarve dhe informacioni për vdekjen e njërit nga ta çojnë në shtyrjen e shqyrtimit, ndërsa Srgjan Llomigora është i shpallur në kërkim ndërkombëtar
Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Astrit Goqi, Agron Krasniqi, Luan Krasniqi, Halil Jonuzi dhe Srgjan Llomigora për krim të organizuar ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së dy të akuzuarve dhe zhvillimeve të tjera proceduriale.
Arsyeja kryesore për dështimin e seancës është mungesa e të akuzuarve Luan Krasniqi dhe Halil Jonuzi, të cilët nuk ishin të pranishëm në seancë. Kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti, u ka njoftuar avokatëve të të akuzuarve se nëse mungesa e tyre nuk arsyetohet, trupi gjykues mund të shqyrtojë masën e paraburgimit për ta.
Gjatë seancës, është bërë e ditur se i akuzuari Agron Krasniqi ka ndërruar jetë, dhe gjykata është informuar për këtë ngjarje me një certifikatë vdekjeje që është paraqitur si provë. Sa i përket Srgjan Llomigora, është raportuar se ai nuk gjendet në Kosovë dhe sipas informacionit të familjarëve, ai ndodhet në vuajtje të dënimit në Serbi për një vepër tjetër penale.
Rasti po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës, në Departamentin Special, me trupin gjykues të përbërë nga Kryetari Kushtrim Shyti dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Lutfi Shala. Prokurorja e kësaj çështjeje është Merita Bina-Rugova.
Shqyrtimi gjyqësor i radhës pritet të mbahet gjatë muajit tetor. Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit janë akuzuar për pjesëmarrje në një grup kriminal të organizuar që operon në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi. Grupi është i akuzuar për blerje, posedim, shitje dhe transport të substancave narkotike, përfshirë marihuanën, e cila është transportuar nga Shqipëria në Kosovë dhe më pas në Serbi.
Në aktakuzë, thuhet se Astrit Goqi ka transportuar marihuanën deri në Kosovë, ndërsa Agron Krasniqi dhe Luan Krasniqi e kanë mbajtur atë deri në organizimin e transportit për në Serbi. Srgjan Llomigora ka vepruar si ndërmjetës në këtë operacion ndërmjet anëtarëve të grupit në Kosovë dhe Serbi. Grupi është akuzuar për veprën penale të “Pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar” dhe shpërndarjen e paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge.