Shkëndija e Tetovës do të zhvillojë sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit në Ligën e Konferencës, teksa pret në Shkup ekipin sllovak Slovan Bratislava, në takimin e parafundit të fazës së ligës.
Sfida nis në orën 18:45, një duel që për Shkëndijën ka peshën e një finaleje. Skuadra shqiptare nga Tetova ndodhet aktualisht në vendin e 25-të, vetëm një pozicion larg zonës së play-off-it, me një total prej katër pikësh. Për të qëndruar në garë, Shkëndija nuk ka alternativë tjetër përveç fitores.
Ndërkohë, edhe kundërshtari Slovan Bratislava ndodhet në një situatë të ngjashme sa i përket renditjes, duke u pozicionuar në vendin e 29-të me tre pikë, çka e bën ndeshjen akoma më të fortë dhe me rëndësi të dyanshme. Sllovakët vijnë në Shkup me të njëjtin objektiv: të mbajnë gjallë shpresat për fazën tjetër.