Mo Salah ka shkaktuar tronditje në futbollin anglez pas një deklarate të gjatë dhe të ashpër ndaj trajnerit Arne Slot dhe klubit të Liverpool-it, pasi u la sërish në stol në barazimin 3–3 kundër Leeds United. Sulmuesi egjiptian nuk u aktivizua asnjë minutë për të tretën ndeshje radhazi dhe nuk e fshehu zhgënjimin.
“Nuk mund ta besoja që isha në stol 90 minuta. Është hera e parë në karrierën time. Ndihem sikur klubi më ka hedhur nën autobus,” deklaroi Salah, duke shtuar se marrëdhënia e tij me Slot “nuk ekziston më”.
Salah la të kuptohet se mund të largohet në merkaton e janarit:
“I kam thirrur prindërit të vijnë në ndeshjen ndaj Brighton-it, që të përshëndetem me tifozët para Kupës së Kombeve të Afrikës. Nuk e di çfarë do të ndodhë pas kësaj.”
Ylli egjiptian tha se klubi nuk ka mbajtur premtimet e bëra gjatë verës dhe se trajtimi aktual është i pamerituar:
“Kam dhënë shumë për këtë klub. Nuk jam problem. Kam fituar ‘Këpucën e Artë’ dhe kam merita të fituara në fushë. Por këtu duket se dikush nuk më do më.”
Sa i përket interesimit nga Arabia Saudite, Salah refuzoi të komentojë, duke thënë se çdo deklaratë e tij “merr drejtim tjetër nga klubi”.