Rubin: Dokumenti i demilitarizimit ishte përgatitur për dikë tjetër, por NATO kërkoi ta nënshkruante Thaçi
Dëshmitari James Rubin ka deklaruar se marrëveshja e demilitarizimit e nënshkruar në qershor 1999 fillimisht ishte menduar të nënshkruhej nga një person tjetër, por britanikët dhe NATO-ja insistuan që ta firmoste Hashim Thaçi.
“Dokumenti ishte përgatitur që të nënshkruhej prej një personi tjetër para se të vija unë dhe Thaçi aty. Britanikët dhe NATO thanë se duhej ta firmoste Thaçi. Mendoj se këtë dokument do ta nënshkruante Agim Çeku”, u shpreh Rubin, raporton Betimi për Drejtësi.
Rubin tha se dokumenti ishte përgatitur për komandantin e UÇK-së, por që në fund u kërkua firma e Thaçit. Ai shtoi se mendonte se Çeku ishte komandant i UÇK-së, por nuk dinte kush e kishte emëruar dhe as kujt i raportonte.
I pyetur për Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Rubin theksoi se ajo nuk ekzistonte realisht. “Ka qenë më shumë aspiratë sesa realitet. Nuk kishte vend fizik, pasi kishte sulme të vazhdueshme dhe ata ishin të shpërndarë në të gjithë territorin”, tha ai.
Sipas tij, edhe deklaratat publike të Çekut për Qeverinë e Përkohshme ishin më shumë propagandë për të bindur publikun dhe ndërkombëtarët se ekzistonte një strukturë funksionale.
Rubin shtoi se Amerika nuk kishte dhënë armë për UÇK-në, pikërisht për shkak të mungesës së strukturës dhe kapaciteteve organizative, ndonëse ata përpiqeshin të paraqiteshin më të strukturuar.
Seanca u mbyll me dëshminë e Rubin, i cili tha se ishte i gatshëm të qëndronte më gjatë, por gjykata paralajmëroi se pyetjet për të do të vazhdojnë nesër nga gjyqtari Fergal Gaynor dhe palët tjera.