Rubin: Haradinaj ka bashkëpunuar me CIA – Haradinaj: E kam bërë për vendin

Rubin: Haradinaj kishte komunikim me CIA gjatë luftës – Kreu i AAK-së: E kam bërë në shërbim të vendit

James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit gjatë luftës në Kosovë, ka dëshmuar sot në rastin e Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Sipas tij, që në vitin 1999 kishte kuptuar për komunikimin e Ramush Haradinajt me CIA-n, komunikim i cili, siç tha ai, kishte ekzistuar ndër vite.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i pyetur për këtë deklaratë, tha se gjithçka ka bërë ka qenë në shërbim të Kosovës.

I gëzohemi komunikimit me institucionet e Amerikës, sidomos me ato të sigurisë. Unë e kam bërë në shërbim të vendit tim çdo herë”, tha Haradinaj për Gazetën Express.

Ai shtoi se dëshmia e Rubin ka peshë pozitive për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Nga përvoja ime që kam pasur në procese, kjo dëshmi tregon edhe kontekstin e luftës, profilin dhe personalitetin e z. Thaçi dhe të tjerëve. Kjo dëshmi e ka peshën e vet për të mirë”, theksoi Haradinaj.

/Gazeta Express/