Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë, duke thënë se ajo ka kërkuar vota për Listën Srpska. Rohde e bëri këtë deklaratë duke cituar kryevëzhguesen e Bashkimit Europian për zgjedhjet në Kosovë, Nathalie Loiseau, e cila vuri në dukje ndërhyrjen e Serbisë në procesin zgjedhor.
Gjithashtu, Rohde theksoi se Serbia ka akuzuar Kosovën pa asnjë bazë për mbështetjen e protestave në Serbi. “Këto sulme dhe fushata shtrihen përtej kufirit serb. Siç theksoi shefja e Misionit Vëzhgues të BE-së për Zgjedhjet në Kosovë, Loiseau, Serbia ndërhyri në zgjedhjet e Kosovës duke promovuar votat për Listën Serbe. Në të njëjtën kohë, Serbia në mënyrë të pabazë akuzon Kosovën për mbështetjen e protestave të sinqerta në Serbi, pa ofruar asnjë provë,” tha Rohde në platformën BlueSky, duke shpërndarë një deklaratë të Ministrisë së Jashtme gjermane.
Ministria e Jashtme gjermane e përshkroi situatën në Serbi si “thellësisht shqetësuese”, duke shtuar se aktivistët janë përballur me sulme dhe fushata shpifëse për shkak të ngritjes së zërit të tyre. “Media dhe politikanët duhet të veprojnë me përgjegjësi. Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE – dhe si e tillë – presim që të respektojë shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut,” u theksua në deklaratën e Ministrisë së Jashtme gjermane.