Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së për vitin 2024 pritet të vonohen për shkak të një gare shumë të ngushtë mes kandidates demokrate, Kamala Harris, dhe ish-presidentit republikan, Donald Trump. Dy kandidatët kanë garuar krah për krah për javë të tëra, dhe rezultatet e ngushta në disa shtete kyçe mund të vonojnë projeksionet e mediave për fituesin.
Në rast të një diference të ngushtë të votave, mund të kërkohen rinumërime në shtete të rëndësishme si Pennsylvania, ku rinumërimi është i detyrueshëm nëse diferenca është më pak se gjysmë pikë përqindjeje. Për më tepër, janë paraqitur mbi 100 padi para zgjedhjeve nga republikanët, përfshirë sfida mbi vlefshmërinë e votuesve dhe menaxhimin e listave të votuesve, çka mund të shkaktojë vonesa të mëtejshme.
Megjithatë, në disa zona, si Michigan, numërimi i votave është përshpejtuar dhe këtë vit priten më pak vota me postë, krahasuar me zgjedhjet e fundit që u mbajtën gjatë pandemisë.
Historikisht, rezultatet kanë qenë të ndryshme në kohën e shpalljes. Në vitin 2020, Joe Biden u shpall fitues katër ditë pas zgjedhjeve, ndërsa në vitin 2016 Donald Trump u shpall fitues në orët e para të mëngjesit pas zgjedhjeve. Në raste të rralla, si në vitin 2000, rezultati final u vendos nga Gjykata Supreme pas një muaji përplasje juridike në Florida.
Analistët politikë pritet të ndjekin nga afër zgjedhjet e këtij viti, me mundësi që të ketë një pritje të gjatë për shpalljen e fituesit.