Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, raportoi Radio Evropa e Lirë (REL).
Ky është rasti i tretë këtë vit kur partia kryesore e serbëve të Kosovës përballet me pengesa për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, qoftë parlamentare apo lokale.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë reagoi ashpër, duke e cilësuar përpjekjen e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe si “të shkurtpamëse dhe përçarëse”.
Edhe Bashkimi Evropian theksoi se politizimi i KQZ-së nga subjektet politike shqiptare është i dëmshëm për procesin zgjedhor gjithëpërfshirës.
Në të njëjtën linjë, ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, u shpreh se është “i shqetësuar” për veprimet që mund të dëmtojnë reputacionin e Kosovës si një demokraci shumetnike, duke paralajmëruar rrezikim të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
Ambasada e Gjermanisë shprehu “keqardhje” për sjelljen penguese të disa anëtarëve të KQZ-së, duke nënvizuar se proceset zgjedhore duhet të jenë të lira nga manovrimet politike.
Në mbledhjen e së martës, KQZ-ja nuk arriti të certifikojë Listën Serbe: rekomandimi mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.
Anëtarët e Vetëvendosjes ishin të vetmit që votuan kundër, duke e arsyetuar vendimin me qëndrimin se Lista Serbe “punon kundër interesave të Kosovës”, raportoi REL.
Subjektet tjera shqiptare – PDK, LDK dhe AAK – abstenuan.
Lista Serbe pritet të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ambasada amerikane paralajmëroi se ky vendim mund të ndikojë edhe në Dialogun Strategjik të pezulluar ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës.
“Të gjithë qytetarët duhet të kenë mundësi t’i ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së”, thuhet në reagim.
Edhe OSBE-ja u bashkua kritikave, duke e cilësuar situatën si “shqetësuese” dhe duke paralajmëruar se politizimi i KQZ-së rrezikon paanshmërinë e institucionit.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, reagoi duke e quajtur vendimin “plotësisht të papranueshëm”, dhe shprehu shpresën se ai do të rishikohet me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Ky është rasti i tretë brenda vitit kur KQZ-ja fillimisht refuzon certifikimin e kësaj partie, pas rasteve në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ato lokale të 12 tetorit. Në të dyja rastet, PZAP-ja ia kishte rrëzuar vendimin KQZ-së, kujton REL.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe fitoi 9 nga 10 ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvend, ndërsa në zgjedhjet lokale të tetorit i mori të gjitha 10 komunat me shumicë serbe.
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit vijnë pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti ta sigurojë mbështetjen e Kuvendit për formimin e Qeverisë së re, pavarësisht se doli fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit.
(Përmbledhje e përgatitur sipas raportimit të Radio Evropa e Lirë – REL)