Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga ndërprerja e shërbimeve të Ndërmarrjes “Pastrimi”, duke e cilësuar këtë si kulmin e papërgjegjësisë institucionale dhe një formë të përsëritur të shantazhit.
Ai bëri të ditur se komuna po angazhon të gjitha kapacitetet alternative për ta menaxhuar gjendjen dhe theksoi se, pavarësisht milionave të investuara ndër vite, shërbimi i ndërmarrjes ka qenë i paqëndrueshëm dhe shpesh është përdorur për interesa të ngushta.
“Qytetarët nuk do të penalizohen nga kalkulimet politike të askujt. Ekipet tona kanë qenë në terren gjatë gjithë vikendit dhe do të vazhdojnë deri në normalizimin e situatës,” shkroi Rama.
Ai premtoi se nga dita e hënë, shërbimi i pastrimit do të rikthehet në normalitet dhe siguroi qytetarët se nuk do të përballen më me situata që rrezikojnë shëndetin dhe dinjitetin e tyre.
Rama theksoi se nuk do të bëhet pjesë e pazareve politike apo marrëveshjeve të fshehta, duke deklaruar se qëndrimi i tij është gjithmonë në funksion të interesit të qytetarëve.
Ai e përmbylli deklaratën duke paralajmëruar fundin e sabotimeve dhe keqpërdorimeve me para publike, duke i falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe kontributin e tyre në ruajtjen e pastërtisë në kryeqytet.