Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka informuar për një takim midis kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, dhe ambasadorit britanik, Jonathan Hargreaves. Gjatë takimit, Radoniqi i ka përshkruar Hargreaves aktivitetet aktuale të KQZ-së, duke theksuar se në Qendrat Komunale të Numërimit po kryhet numërimi i votave për kandidatët për deputetë, i cili ka përfunduar në shumicën e komunave.
Radoniqi gjithashtu e ka informuar ambasadorin për procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përmes postës. Në këtë kontekst, Radoniqi theksoi që KQZ po punon për të siguruar që të gjitha fazat e procesit zgjedhor të kryhen me saktësi dhe transparencë.
Nga ana e tij, ambasadori Hargreaves përgëzoi KQZ-në për zhvillimin e suksesshëm dhe të qetë të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt, duke vlerësuar përpjekjet e institucionit për të garantuar një proces të shpejtë dhe transparent.