Qytetari në Kamenicë gjen drogë brenda ulëses së veturës gjatë riparimit, njofton Policinë

Marihuanë në ulësen e veturës – qytetari në Kamenicë njofton Policinë, sekuestrohen mbi 3.6 kg

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një qytetar në Kamenicë ka raportuar për gjetjen e dy paketimeve me substancë të dyshuar narkotike gjatë riparimit të ulëses së veturës së tij. Ngjarja ka ndodhur më 10 maj, rreth orës 21:00.

Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit e antidrogës në Gjilan kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur fillimisht rreth 1.8 kilogramë marihuanë. Si pasojë, vetura është sekuestruar për hetime të mëtejshme.

Gjatë kontrollit të detajuar në stacionin policor të Gjilanit më 11 maj, në ulësen e përparme të pasagjerit janë zbuluar edhe 1.873 kg të tjera të së njëjtës substancë.

Në total janë sekuestruar rreth 3.6 kilogramë marihuanë. Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të identifikuar personat e përfshirë.