Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe ka vendosur që të certifikohet lista me kandidatë për deputetë e subjektit politik Lista Serbe.
Ky vendim erdhi pas ankesës së parashtruar nga Lista Serbe në PZAP, pasi KQZ më herët nuk e kishte certifikuar listën e kandidatëve të kësaj partie për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Në vendimin e PZAP-së thuhet se ankesa e Listës Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, është aprovuar, ndërsa vendimi i KQZ-së me numër protokolli 01/3771-2025, i datës 10 dhjetor 2025, është ndryshuar. Sipas këtij vendimi, është pranuar rekomandimi i Zyrës për Certifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ, i datës 11 dhjetor 2025.
Si rezultat, është certifikuar lista me 33 kandidatë për deputetë e Listës Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
