Prokuroria Speciale ngre akuzë kundër Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit për spiunazh
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”. Të dy të pandehurit u arrestuan në qershor të vitit të kaluar dhe tani janë nën hetime për këto akuzat.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë Speciale, ekziston “dyshim i bazuar mirë” që secili prej tyre, veç e veç, ka kryer veprën penale të “Spiunazhit” sipas nenit 124, paragrafi 3, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Përveç kësaj, Muharrem Qerimi akuzohet edhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas nenit 366, paragrafi 1, të KPRK-së.
Prokurori i shtetit ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjet në fuqi. Gjithashtu, prokurori ka kërkuar që masa e paraburgimit të vazhdojë deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, duke argumentuar se ekzistojnë ende kushtet ligjore për zbatimin e kësaj mase.