Gjatë pjesëmarrjes në Forumin Diplomatik të mbajtur në Antalya, Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, prof. dr. Haluk Görgün.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, në fokus të takimit ishin mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë në fushën e industrisë së mbrojtjes. Të dyja palët theksuan rëndësinë e ndërtimit të partneriteteve strategjike që do të forcojnë sigurinë rajonale dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të të dy vendeve.
“Ministri Maqedonci nënvizoi se industria e mbrojtjes mbetet një ndër prioritetet kyçe të Ministrisë, duke vlerësuar rolin e saj në rritjen e vetëqëndrueshmërisë së vendit, veçanërisht në aspektin e prodhimit të municioneve dhe pajisjeve ushtarake,” thuhet në komunikatë.
Po ashtu, u theksua se zhvillimi i këtij sektori ka ndikim pozitiv edhe në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke hapur perspektiva të reja për bashkëpunim në të ardhmen.