Konstituimi i kontestuar i Kuvendit: Srpska ankohet në Kushtetuese, Osmani po analizon, VV kërkon mandatarin
Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, i bllokuar prej muajsh, më 26 gusht u zhbllokua pjesërisht me zgjedhjen e kryetarit dhe disa nënkryetarëve. Por telashe të reja lindën me zgjedhjen e nënkryetarit serb, pasi asnjëri nga kandidatët nuk mori votat e nevojshme. Kryeparlamentari Dimal Basha vendosi që votimi për këtë post të procedohej ndaras, e jo në pako, gjë që shkaktoi reagime.
Srpska e çon rastin në Kushtetuese
Lista Serbe njoftoi më 30 gusht se ka dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese për “shkelje të rëndë të të drejtave të popullit serb” në Kuvend. Gjykata konfirmoi se ka pranuar kërkesën, por pa dhënë detaje. Njohës të fushës kanë theksuar se votimi i nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë duhet të bëhet në pako, njësoj si përfaqësuesit e shumicës.
Basha shpall Kuvendin të konstituar
Pas dështimit të zgjedhjes së nënkryetarit serb, më 30 gusht Basha shpalli se Kuvendi është i konstituar. Ky veprim u kundërshtua nga ekspertët. Albert Krasniqi nga D+ dhe ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, theksuan se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar pa kryetarin dhe të gjithë pesë nënkryetarët.
VV kërkon mandatarin, Osmani analizon
Albulena Haxhiu nga VV tha se shumë shpejt Këshilli i Përgjithshëm do të votojë mandatarin për kryeministër dhe se emri i Albin Kurtit do t’i dërgohet presidentes Osmani, nga e cila pret “veprim në emër të funksionimit demokratik”. Por, ekspertët, përfshirë Eugen Cakollin nga D+, vlerësojnë se Osmani nuk duhet të marrë asnjë hap drejt dekretimit të mandatarit pa u sqaruar legjitimiteti i konstituimit.
Nga Presidenca është bërë e ditur se ekipi ligjor i presidentes është duke analizuar procesin, ndërsa Osmani ka theksuar se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
Bojkoti i opozitës
Mbledhja e parë e Kryesisë së Kuvendit e thirrur nga Basha u bojkotua nga PDK dhe LDK, të cilat thanë se ftesa është e pakuptimtë pasi Kuvendi nuk është i konstituar. Ata e quajtën veprimin e Bashës një “çmenduri”.