Forumi i parë për drejtësi: Kujtesa dhe kërkesa për zbardhjen e vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në Armatën e ish-Jugosllavisë
Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka organizuar një forum të veçantë kushtuar vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në Armatën e ish-Jugosllavisë – një çështje që për dekada ka mbetur e heshtur dhe pa drejtësi. Me temën “Ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën e ish-Jugosllavisë”, forumi u mbajt me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, studiuesve dhe familjarëve të viktimave, duke shënuar hapin e parë të një iniciative më të gjerë për dokumentim dhe kërkim të përgjegjësisë institucionale.
Drejtori i institutit, Atdhe Hetemi, theksoi se ky projekt ka për qëllim që t’u japë zë viktimave dhe të ndërtojë një kujtese të qëndrueshme institucionale për brezat e ardhshëm. Ai tha se shumë nga këta ushtarë, kryesisht të rinj në moshë, “nuk ranë në luftë, por u vranë në paqe”, duke theksuar nevojën për dokumentim dhe ndriçim të të gjitha rasteve.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kujtoi viktimën e parë, Ramadan Gashin, i cili u vra në vitin 1951 dhe familja nuk e ka marrë ende trupin e tij, as ndonjë shpjegim zyrtar. Ai theksoi se deri më tani janë evidentuar 135 raste të tilla, dhe se këto përbëjnë një ndër arsyet e themelimit të institutit.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova-Gaxha, e konsideroi këtë iniciativë si një përpjekje për “të kthyer numrat në emra dhe tragjeditë në histori të dokumentuar”. Ajo theksoi se ndërtimi i kujtesës është veprim moral dhe institucional, që duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia ndaj të vërtetës.
Riza Xhakli, ish-i burgosur politik dhe shok shërbimi i Aziz Kelmendit – figurë kyçe e incidentit të kazermës në Paraçin – dëshmoi për padrejtësinë që ai dhe të tjerët përjetuan pas montimit të rastit nga autoritetet jugosllave.
Gani Morina, përfaqësues i Këshillit të familjarëve të viktimave, u shpreh se këto janë “plagë të hapura që kërkojnë drejtësi dhe përkujdesje institucionale”. Ai theksoi se për shqiptarët, mbarimi i Luftës së Dytë Botërore nuk solli liri, por represion dhe vrasje selektive të motivuara etnikisht.
Ky forum shënon vetëm fillimin e një procesi më të thellë për dokumentimin, ndërgjegjësimin dhe zbulimin e së vërtetës historike, me synimin që viktimat të mos harrohen dhe që përgjegjësit të identifikohen.
