MKRS reagon ndaj Përparim Ramës për sheshin “Xhorxh Bush”: Punimet nisën pa leje, drejtësia të trajtojë shkeljet
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas akuzave të këtij të fundit ndaj qeverisë se po pengon punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, raporton Gazeta Express.
Sipas MKRS-së, Komuna e Prishtinës ka filluar punimet në një zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore pa marrë leje nga institucionet përgjegjëse, duke vepruar në kundërshtim me ligjin.
Në reagim, ministria akuzon kryetarin Rama për dezinformim dhe fshehje të qëllimshme të informacioneve, duke shtuar se në vend të bashkëpunimit për një zgjidhje ligjore dhe profesionale, është zgjedhur rruga e manipulimit të opinionit publik.
“Projekti për rrugën ‘Xhorxh Bush’ ka nisur pa lejen e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) – një shkelje e qartë ligjore që mund të ketë pasoja serioze, përfshirë dëme për buxhetin e shtetit”, thuhet në reagim.
Sipas MKRS-së, vetëm pasi inspektorati kompetent ndaloi punimet e paautorizuara, Komuna dorëzoi kërkesë për leje nga IKMM, edhe pse kjo procedurë do të duhej të ndiqej që në fillim të hartimit të projektit.
“Komuna zgjodhi të veprojë jashtëligjshëm dhe, siç duket, me qëllim, duke e shtyrë projektin drejt problemeve sistematike”, thuhet tutje në deklaratë.
Ministria gjithashtu akuzon Ramën se nuk e ka treguar të plotë të vërtetën për projektin, duke fshehur faktin se ai parashikon ndërtimin e lokaleve afariste pranë hyrjes së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës – një hap që, sipas MKRS-së, rrezikon pamjen vizuale dhe integritetin ligjor të monumentit të mbrojtur.
“Kryetari dhe drejtori i tij nuk thanë të vërtetën kur pohuan se ndërhyrjet janë vetëm në asfalt dhe gypa. Ata fshehën që projekti përfshin lokale afariste që do të ndikojnë negativisht në hapësirën vizuale të Rektoratit, një aset i mbrojtur me status ligjor.”
Ministria shprehet se shpjegimet e dhëna nga drejtuesit e komunës në konferencën për media janë “tërësisht të pavërteta dhe joprofesionale”, duke theksuar se hapësira ku po punohet është pjesë e Zonës së Mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, me status të përcaktuar qartë nga vendime të mëparshme institucionale.
Në fund, MKRS i bën thirrje komunës që të ndalë shkeljet ligjore dhe kërkon nga institucionet e drejtësisë që të trajtojnë me prioritet kallëzimet e paraqitura lidhur me këto veprime.
“Sërish u bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që t’i trajtojnë me prioritet kallëzimet tona ndaj shkeljeve të rënda të Komunës së Prishtinës, dhe të parandalojnë thellimin e dëmit financiar që po i shkaktohet buxhetit të shtetit.”