Kuvendi dështon për herë të 15-të të konstituohet – VV sërish tenton votim të fshehtë, mungojnë votat
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar për të 15-tën herë radhazi. Edhe në këtë tentim, Lëvizja Vetëvendosje provoi të ndryshojë mënyrën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga e hapur në të fshehtë. Megjithatë, për shkak të mungesës së votave, nuk arriti të krijohet komisioni që do ta mbikëqyrte këtë proces.
Propozimi për formimin e komisionit mori 56 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim – numër i pamjaftueshëm për të ecur përpara.
Seanca e radhës është caktuar për të enjten, në orën 10:30.
Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton një afat të saktë për konstituimin e Kuvendit pas certifikimit të rezultateve apo betimit të deputetëve, por Rregullorja e re e Kuvendit përcakton që ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.
Pa zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit, nuk mund të fillojë procedura për formimin e Qeverisë së re. Vetëm pas konstituimit, Presidentja e Republikës mandaton kandidatin për Kryeministër nga partia me numrin më të madh të deputetëve – në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje.
Mandatari ka afat 15 ditë nga dita e emërimit për të paraqitur përbërjen e Qeverisë dhe për të kërkuar miratimin e saj nga Kuvendi. Qeveria zgjidhet nëse merr të paktën 61 vota të deputetëve.
Në rast se Qeveria nuk miratohet në raundin e parë, Presidentja ka afat 10 ditë për të propozuar një kandidat tjetër. Nëse as në përpjekjen e dytë nuk formohet Qeveria, Kushtetuta përcakton që Presidentja të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja. Kuvendi shpërndahet automatikisht nëse Qeveria nuk formohet brenda 60 ditëve nga emërimi i mandatarit.