Prishtina nis vitin e ri shkollor: 37 mijë nxënës me kurikula digjitale
Në Prishtinë sot ka filluar zyrtarisht viti i ri shkollor për 37 mijë e 667 nxënës, të shpërndarë në 64 objekte shkollore të kryeqytetit. Për herë të parë, secila shkollë është pajisur me kurikula digjitale.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë vizitës në shkollën “Faik Konica” tha se nxënësit tashmë kanë në dispozicion panele digjitale në klasë. “Edhe nëse nuk i kanë librat, ne jemi të gatshëm me kurikulat digjitale”, deklaroi ai.
Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, bëri të ditur se nga sot mësimi tërëditor shtrihet edhe në zonat rurale, duke filluar me SHFMU “Ali Kelmendi” në Barilevë. “Nga një shkollë vitin e kaluar, tash kemi 12 shkolla në fshatra ku zhvillohet mësimi tërëditor”, tha ai.
Ndërsa drejtoresha e shkollës “Faik Konica”, Jehona Oruqi, theksoi se përgatitjet janë bërë me kohë dhe se risia e këtij viti është koordinimi i drejtpërdrejtë me prindërit.