Seanca konstituive shtyhet për të shtunën, pas ndërprerjes nga Dimal Basha
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet të shtunën në ora 11:00.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, sot e ndërpreu seancën pasi kandidati serb Nenad Rashiq nuk arriti të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar nga komuniteti serb.
Basha arsyetoi se Rashiq ka “gjasat më të mëdha” për ta zënë këtë pozitë, pasi mori më shumë vota se kandidatët e Listës Srpska, e cila refuzoi të marrë pjesë në votim.
Lista Srpska e kundërshtoi vendimin për zgjedhjen me short, të përcaktuar nga Basha pasi kandidati i tyre, Slavko Simiq, dështoi tri herë radhazi të marrë votat e nevojshme. Sipas tyre, kjo procedurë është jokushtetuese.