Pas ‘konstituimit’ të Kuvendit, Basha takohet me Osmanin: Të zgjidhet sa më shpejt Qeveria

Basha pas konstituimit të Kuvendit takohet me Osmanin: Të formohet sa më shpejt Qeveria e re

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka zhvilluar sot një takim konsultativ me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas komunikatës së Kuvendit, Basha e informoi Osmanin për ecurinë e seancës konstituive dhe për procesin e konstituimit të Kuvendit, ndërsa u diskutua për hapat e mëtejmë institucionalë drejt formimit të Qeverisë së re.

“Palët theksuan nevojën që proceset kushtetuese dhe ligjore të vijojnë me dinamikën e paraparë, në mënyrë që të sigurohet një tranzicion i shpejtë dhe efikas”, thuhet në njoftim.

Në takim u theksua rëndësia e funksionalitetit të institucioneve dhe stabilitetit politik, sidomos në kontekstin e sfidave të brendshme dhe zhvillimeve ndërkombëtare.

Basha konfirmoi se Kuvendi do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë rolin e tij kushtetues, ndërsa Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional për të mirën e qytetarëve.