Presidentja Osmani në Finlandë: Rusia trefishon propagandën në Ballkan – Vuçiq ndjek mendësi hegjemoniste si Putini
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite zyrtare në Finlandë, ka dhënë një intervistë për median shtetërore finlandeze “Yle”, ku ka trajtuar zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin rus në rajon.
Duke komentuar agresionin rus ndaj Ukrainës, Osmani ka theksuar se Rusia ka trefishuar fondet e saj për propagandë dhe dezinformim në Ballkanin Perëndimor, çka, sipas saj, dëshmon për një interes të veçantë të Moskës për këtë rajon.
“Situata mbetet e tensionuar. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mendon njësoj si Vladimir Putini – me një mendësi hegjemoniste që mohon ekzistencën e vendeve fqinje,” tha Osmani. Ajo shtoi se një pjesë e ideologjisë serbe dhe ruse bazohet në pretendimin se janë “popuj të shenjtë” nën të cilët duhet të jetojnë të tjerët – një qasje që e cilëson si të rrezikshme dhe të tejkaluar.
Osmani u ndal edhe tek takimi i Patriarkut serb Porfirije me presidentin rus Vladimir Putin, për të cilin tha se është diskutuar hapur rreth pretendimeve për pushtimin e Malit të Zi, Bosnjës dhe Kosovës.
Në lidhje me qasjen e disa vendeve të BE-së ndaj Serbisë, presidentja kosovare u shpreh kritike: “Disa vendimmarrës në BE duket se besojnë se Vuçiq mund të frenohet vetëm përmes koncesioneve që e mbajnë të kënaqur. Por kjo ka çuar vetëm në më shumë dhunë.”
Ajo shprehu habi për faktin që Bashkimi Evropian po rrit ndihmën për Serbinë, ndërkohë që Beogradi jo vetëm që shmang zbatimin e marrëveshjeve të arritura, por vazhdon të nxisë tensione në rajon.
“Kosova asnjëherë nuk ka qenë burim tensioni. Përkundrazi, ne kemi ofruar vazhdimisht bashkëpunim dhe miqësi, edhe me Serbinë. Por Serbia nuk ka kërkuar kurrë ndjesë për krimet e luftës ndaj popullit tonë. Ne nuk kemi kërkuar hakmarrje, por drejtësi,” theksoi Osmani.
Në përmbyllje, ajo deklaroi se Serbia duhet të mësohet me realitetin se Kosova është një shtet i pavarur dhe i pakthyeshëm në rrugën e saj: “Kosova është për të qëndruar dhe nuk ka kthim pas.”
