Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Rusia dhe aleatja e saj, Serbia, paraqesin kërcënim serioz për Kosovën dhe rajonin, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos e shpërblejë Beogradin.
Para nisjes së samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë, Osmani tha se Rusia mbetet rrezik për Evropën, ndërsa Serbia për Ballkanin Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se po kopjon veprimet e Moskës.
“Serbia i trajton fqinjët si shtete të përkohshme, si shtete që nuk ekzistojnë, dhe vepron me agresion. Është kopje e metodave të Rusisë. Për ne të dyja paraqesin kërcënim”, theksoi ajo.
Osmani paralajmëroi se nëse mungon ndikimi perëndimor, hapësirën në Ballkan e mbushin fuqitë e ashtuquajtura “Trekëndëshi i Ligësisë” – Rusia, Kina dhe Irani – me qëllime strategjike dhe jo për bamirësi.
Në Kopenhagë, Osmani u takua edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin diskutoi për rolin vendimtar të aleancës në stabilitetin e rajonit dhe përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me partnerët perëndimorë.
Duke folur për integrimin evropian, ajo tha se Kosova do të vazhdojë përpjekjet për anëtarësim në BE dhe NATO, duke theksuar se “rruga e vetme për Kosovën” është integrimi euroatlantik.
REL / Radio Evropa e Lirë