Osmani takohet me Trumpin: Aleanca me SHBA-në, “bosht i pathyeshëm”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Nju Jork me presidentin amerikan, Donald Trump, me të cilin tha se zhvilloi një “bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtësore”.
“Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm. Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-në, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë”, u shpreh Osmani, sipas njoftimit të Presidencës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Takimi me Trumpin dhe Zonjën e Parë, Melanie Trump, fillimisht ishte planifikuar si protokollar, por, sipas Presidencës, u shndërrua në një bisedë të gjatë. Osmani e falënderoi Trumpin për “interesimin e veçantë për Kosovën dhe rajonin, si dhe për angazhimin e tij të palodhshëm për paqe”.
Vizita e Osmanit në Nju Jork po zhvillohet në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku ndodhen edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla. Qëndrimi i tyre vjen në një kohë kur marrëdhëniet Kosovë–SHBA janë tensionuar, pas vendimit të Uashingtonit për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.
(Burimi: Radio Evropa e Lirë/REL)