Osmani: Serbia – burimi i vetëm i destabilitetit në rajon, Kosova do ta mbrojë veten dhe partneritetin me NATO-n
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia përbën burimin kryesor të destabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke e akuzuar atë për veprime agresive, akte terroriste dhe përpjekje të vazhdueshme për të destabilizuar vendet fqinje.
Në një intervistë për TRT Balkan, Osmani theksoi se udhëheqja serbe synon rikthimin e rajonit në të kaluarën e errët të viteve ’90, ndërsa siguroi se Kosova do të vazhdojë ta mbrojë veten dhe të kundërshtojë çdo tendencë hegjemoniste që vjen nga Beogradi.
Duke folur për Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim ushtarak me Shqipërinë dhe Kroacinë, presidentja tha se kjo marrëveshje është një hap i natyrshëm dhe i domosdoshëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Ajo nënvizoi se bashkëpunimi me këto shtete ka qenë gjithmonë i ngushtë, por tashmë është formalizuar në përputhje të plotë me standardet e NATO-s.
Osmani bëri të ditur gjithashtu se janë duke u zhvilluar diskutime edhe me vende të tjera për zgjerimin e kësaj aleance të re ushtarake, pa përmendur emra specifikë.
Sa i përket reagimeve të Serbisë ndaj kësaj marrëveshjeje trepalëshe, presidentja tha se ato janë të zakonshme dhe të pritshme, duke e cilësuar Serbinë si faktor të vazhdueshëm të destabilitetit në rajon.
“Serbia ka ndërmarrë veprime të natyrës agresive dhe terroriste, ka tentuar të destabilizojë Bosnje e Hercegovinën nga brenda, ka krijuar tensione me Kroacinë dhe vende të tjera të rajonit. Sot, është e qartë për të gjithë në Ballkanin Perëndimor se burimi kryesor i destabilitetit është Serbia”, u shpreh Osmani.
Ajo shtoi se Kosova do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj kombëtare dhe të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me vendet anëtare të NATO-s, për të garantuar paqe dhe stabilitet, si në rajon ashtu edhe në nivel global.
“Ne do ta mbrojmë vetveten nga ideologjitë hegjemoniste dhe imperialiste të udhëheqjes serbe, që përpiqet ta kthejë rajonin në një të kaluar të dhimbshme. Ne besojmë në një të ardhme të qëndrueshme dhe paqësore, e cila ndërtohet përmes aleancave me vendet demokratike dhe jo përmes frikës dhe agresionit”, tha Osmani.
Presidentja theksoi gjithashtu se Kosova është e harmonizuar me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian dhe po kontribuon aktivisht në sigurinë ndërkombëtare në bashkëpunim me aleatët e saj.
“Forcat e Sigurisë së Kosovës janë tashmë pjesë e misioneve ndërkombëtare paqeruajtëse, duke shërbyer krah për krah me trupat e SHBA-së, Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në vende të ndryshme të botës”, përfundoi ajo.