20 persona janë arrestuar gjatë një operacioni të zhvilluar dje nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, në 14 lokacione të ndryshme. Të arrestuarit dyshohen për kryerjen e veprave penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike” dhe “Mashtrim”.
Sipas një komunikate të përbashkët të këtyre institucioneve, operacioni ka përfshirë rreth 120 zyrtarë policorë, si dhe zyrtarë nga Gjermania, prokurorë dhe ekspertë policorë.
Gjatë aksionit janë sekuestruar mbi 120 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, prona të paluajtshme, rreth 30 kompjuterë, 30 telefona, pajisje memorizuese, si dhe dokumente e prova të tjera të rëndësishme. Gjithashtu, janë ngrirë mjete financiare nëpër banka në Kosovë.
“Me urdhër të Prokurorit nga Prokuroria Speciale, 10 të dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa 10 të tjerë janë liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt,” thuhet në komunikatë.