Nismë nga Bardhyl Mahmuti: Festival në Tetovë në ditëlindjen e Shpat Kasapit

Veprimtari i çështjes kombëtare, Bardhyl Mahmuti, i ka kërkuar publikisht Komunës së Tetovës që të institucionalizojë një festival me emrin e këngëtarit Shpat Kasapi, si mënyrë për ta përjetësuar kujtimin e tij.

Mahmuti propozon që festivali “Shpat Kasapi” të mbahet çdo vit në Tetovë, në javën e parë të majit, që përkon me ditëlindjen e artistit. Sipas tij, ky do të ishte “vendimi më i mirë për të shprehur mirënjohjen për kontributin e tij në artin shqiptar”.

Kërkesa i është adresuar kryetarit të Komunës Bilall Kasami, kryetarit të Këshillit Komunal Jusuf Abduli dhe këshilltarëve komunalë.

Mahmuti theksoi se vdekja e papritur e Shpat Kasapit shkaktoi pikëllim mbarëkombëtar dhe se meritat e tij në afirmimin e kulturës shqiptare janë vlerësuar edhe nga mediat ndërkombëtare.