Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur fillimin e zhbllokimit të ngërçit në Kuvend, pasi sot u zgjodh kryetari i ri, Dimal Basha, si dhe disa nga nënkryetarët.
Osmani u ka uruar punë të mbarë kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, duke theksuar se puna e tyre duhet të jetë në interes të vendit.
“Presidentja mirëpret që procesi i konstituimit të Kuvendit ka filluar të zhbllokohet dhe shpreson që ky proces të përmbyllet sa më parë, në përputhje me Kushtetutën. Ajo i uron punë të mbarë e në interes të vendit kryetarit të ri Dimal Basha dhe nënkryetarëve të zgjedhur të Kuvendit: znj. Albulena Haxhiu, znj. Vlora Çitaku, z. Kujtim Shala dhe znj. Emilija Redžepi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani gjithashtu ka shprehur pritjen që Kuvendi, sa më parë dhe në përputhje me procedurat kushtetuese, të votojë edhe qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Megjithatë, procesi i konstituimit mbetet ende i papërfunduar, pasi gjatë ditës së sotme nuk u arrit të zgjidhet nënkryetari nga komunitetet jo-shumicë serbe.