Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë përpjekje për të kontaktuar deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me synimin që t’i bindë të kalojnë në radhët e saj.
Sipas Mustafës, këto përpjekje kanë përfshirë qasje të ndryshme, nga ato miqësore deri te presionet dhe shantazhet e mundshme. Ai nuk ka përmendur emra konkretë apo numrin e saktë të deputetëve që janë kontaktuar, por ka theksuar se asnjëri prej tyre nuk ka rënë pre e këtyre tentativave.
“Janë kontaktuar më shumë se një deputet i LDK-së, në forma të ndryshme – siç thotë populli, me të mirë e me të keq. Ka pasur përpjekje për t’i bindur shoqërisht, por edhe tendenca për shantazhe dhe kërcënime, qoftë ndaj tyre apo familjarëve të tyre në aspektin profesional”, ka deklaruar Mustafa në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Ai ka shtuar se të 20 deputetët e LDK-së do të mbeten pjesë e kësaj partie deri në përfundim të legjislaturës, duke e përjashtuar mundësinë e ndonjë kalimi në subjekte të tjera.