Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se votimi kundër raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve nënkupton se deputetët përkatës kanë refuzuar mandatin e tyre, dhe se procesi duhet të rikthehet në pikën zero.
Sipas Muratit, ky raport, pasi është hedhur një herë në votim, nuk mund të rikthehet për shqyrtim edhe një herë tjetër. Ai nënkuptoi se në seancën e sotme, drejtuesi i saj, Avni Dehari, nuk do të mund ta vendosë përsëri në rend dite të njëjtin raport.
Murati ka propozuar një zgjidhje për të shmangur zgjedhjet e reja, duke thënë se deputetët që kanë votuar kundër duhet të tërhiqen nga mandati dhe të zëvendësohen nga kolegë të të njëjtit subjekt politik.
“E vetmja rrugë për të evituar skenarin e zgjedhjeve të reja është një dakordim politik unanim, ku vetëm deputetët që kanë refuzuar mandatin me votën e tyre, tërhiqen dhe ua lëshojnë vendin kolegëve të tjerë nga e njëjta listë. Një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në legjislaturën e kaluar me deputetët e Listës Serbe”, ka shkruar ai.