Bizneset kosovare nuk mund të eksportojnë mish dhe bylmet për shkak të moslicencimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë nga Bashkimi Evropian.
Kosova nuk mund të eksportojë produkte me origjinë shtazore në Evropë, për shkak se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK) nuk është e licencuar nga Bashkimi Evropian. Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Skënder Krasniqi, i cili theksoi se mungesa e kësaj licence e bën të pamundur për bizneset private në vend të shesin mish apo bylmet në tregun evropian.
Krasniqi shpjegoi se AUVK nuk është i licencuar nga BE-ja, pasi nuk ka përmbushur ende standardet e nevojshme, të cilat kërkojnë investime që nuk janë realizuar deri më tani. Ai shtoi se për plotësimin e këtyre standardeve mund të nevojiten dy deri në tre vjet. Për këtë arsye, Krasniqi dhe të tjerët kanë kërkuar vazhdimisht nga shteti që të investojë në mënyrë që AUVK të licencohet dhe të njihet nga BE-ja. Aktualisht, certifikatat e lëshuara nga kjo agjenci janë të pavlefshme për tregjet evropiane.
Sipas Krasniqit, Kosova ka potencial për rritjen e numrit të deleve dhe lopëve, kryesisht për shkak të tokës malore, dhe vendi duhet të krijojë produkte strategjike që mund të njihen ndërkombëtarisht.
Nga ana tjetër, Milazim Berisha, pronari i një biznesi të madh të produkteve me origjinë shtazore në Kosovë, tha për Radio Kosovën se mosnjohja e certifikatave veterinare për produktet me origjinë shtazore nga Kosova penalizon shumë prodhuesit dhe përpunuesit, pasi nuk mund të eksportojnë në BE. Sipas tij, kjo situatë ndikon negativisht në zhvillimin e sektorit prodhues dhe përpunues të produkteve shtazore.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në një përgjigje përmes postës elektronike, shpjegoi se procesi i vendosjes së Kosovës në listat e BE-së për eksportin e produkteve me origjinë shtazore dhe kafshë të gjalla është kompleks dhe i gjatë. Së pari, duhet të përmbushen kërkesat për çdo kategori të produkteve veç e veç, si p.sh. për shpezë, mish të shpezëve, gjedhe, peshk, mjaltë dhe produkte të tjera. Këto kërkesa përfshijnë garantime lidhur me shëndetin e kafshëve në vend, duke siguruar se Kosova është e lirë nga sëmundjet e listuara nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH).
Agjencia gjithashtu bëri të ditur se në vitin 2020, Kosova u listua për eksportin e kategorisë së produkteve të procesuara nga mishi i shpezëve në tregun e BE-së dhe aktualisht është në proces të verifikimit për eksportin e mishit të freskët të shpezëve dhe plotësimin e kërkesës për mjaltë dhe produkte nga mjalti.