Milionat e humbur nga kontratat kolektive: Komunat kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria
Që nga viti 2014, Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Arsimit në Kosovë kanë nënshkruar së paku tri kontrata kolektive për të përmirësuar të drejtat e punëtorëve, por shumica e përfitimeve kanë mbetur të papaguara.
Punonjësit e arsimit dhe shëndetësisë janë detyruar t’i drejtohen gjykatave për të marrë të drejtat e tyre, ndërsa komunat kanë qenë të obliguara t’i shlyejnë vendimet gjyqësore, shpesh duke përdorur fonde të destinuara për investime kapitale dhe shërbime publike.
Rasti i Ahmet Pllanës, arsimtar i historisë me 40 vjet përvojë në Shkollën “Dardania” në Prishtinë, tregon qartë problemin. Ai arriti të përfitojë mbi pesë mijë euro nga kontrata kolektive vetëm pas pensionimit në vitin 2022 – pjesërisht përmes komunës, por për disa përfitime iu desh të prisnte dy vjet derisa gjykata të vendoste në favor të tij.
Komunat thonë se pa një linjë të veçantë buxhetore nga Qeveria, këto barrë financiare do të vazhdojnë të rëndojnë mbi buxhetet lokale, duke penguar zhvillimin e projekteve kapitale dhe shërbimeve për qytetarët.
REL / Radio Evropa e Lirë