Memli Krasniqi: Basha është fytyra e vërtetë e Vetëvendosjes dhe filozofisë së Kurtit kundër UÇK-së
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit, duke thënë se ai përfaqëson vazhdimin e një filozofie politike kundër UÇK-së dhe trashëgimisë së saj.
“Nëse dikush e ka pasur mënyrë jetese demonizimin e UÇK-së dhe të udhëheqësve të saj, ai është Albin Kurti. Rrjedhimisht, secili që i është bashkuar atij ka përvetësuar të njëjtin mentalitet,” deklaroi Krasniqi.
Ai përmendi edhe emrat e disa prej kandidatëve të propozuar më parë nga VV për kryetar Kuvendi – Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati – duke i akuzuar se kanë vepruar kundër vlerave të luftës.
Sipas tij, edhe kryeparlamentari i ri hyn në të njëjtën linjë politike:
“Me artikullin e tij morbid kundër UÇK-së, Basha vetëm sa e konfirmon filozofinë e Vetëvendosjes: sa më shumë të distancohesh nga UÇK-ja, aq më shpejt ngjitesh në parti.”
Krasniqi sqaroi se vota e PDK-së nuk ka qenë për individin, por për t’i dhënë fund bllokadës institucionale disa mujore dhe për ta ekspozuar, siç tha ai, fytyrën e vërtetë të VV-së.
“Turpi i mbetet Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, që me ngulm kandiduan Bashën. Ai nuk është i denjë për Kryetar Kuvendi,” shtoi ai.
Kreu i PDK-së tha se partia e tij do të vazhdojë të mbrojë luftën e UÇK-së dhe shtetin e Kosovës, pavarësisht çdo sulmi apo shpifjeje.