Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u takua sot me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Luksemburgut, Xavier Bettel, për një mëngjes pune në Prishtinë. Gjatë këtij takimi, Krasniqi e uroi mikun e tij Bettel për hapjen e ambasadës së re të Luksemburgut në Kosovë – një zhvillim që vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe përkushtimit të Luksemburgut ndaj vendit.
Krasniqi falënderoi Bettel për mbështetjen e vazhdueshme që Luksemburgu i ka ofruar Kosovës në fusha të rëndësishme si shëndetësia dhe teknologjia e inovacioni. Gjithashtu, dy zyrtarët diskutuan për angazhimin e përbashkët në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Europës, ku si Partia Demokratike e Kosovës, ashtu edhe Partia Demokratike e Luksemburgut e Zëvendëskryeministrit Bettel janë anëtare, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në skenën evropiane.
Ky takim shënoi një tjetër hap përpara në lidhjet mes Kosovës dhe Luksemburgut, duke theksuar përkushtimin e ndërsjellë për zhvillimin dhe përparimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.