Presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë, shprehu shpresën që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të rifillojë në javët e ardhshme.
I pyetur për qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj aksioneve të Policisë së Kosovës në veri dhe për deklaratat e presidentes Vjosa Osmani lidhur me masat ndaj Kosovës, Macron tha se kërkesat e BE-së janë të arsyeshme dhe se është e nevojshme të dilet nga situata aktuale e bllokimit.
“Udhërrëfyesi është shumë i qartë. Kemi kaluar shumë kohë në këtë dialog mes Prishtinës dhe Beogradit. BE-ja është e justifikuar kur kërkon progres të prekshëm, sidomos në lidhje me zgjedhjet komunale dhe çështjet e sigurisë. Ekzistojnë kërkesa të drejta dhe nuk mendoj që kjo përbën humbje të besueshmërisë. Është thelbësore të largohemi nga kjo përplasje që po mban situatën të bllokuar”, tha ai.
Macron theksoi se për të ecur përpara, duhet vullnet i qartë politik dhe nuk është e udhës që të vihet në dyshim vetë procesi i dialogut.
“Nuk është ide e mirë të përçahen linjat ose të vihet në pikëpyetje dialogu. Duhet të ketë përkushtim për përparim të vërtetë. Për sigurinë dhe bashkimin e Evropës, kjo është rruga që duhet ndjekur. Ne do të angazhohemi fuqishëm së bashku me partnerët tanë evropianë që të ketë zhvillime konkrete në Kosovë,” përfundoi Macron.