Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se gjatë vizitës së tij në Kinë i ka kërcënuar autoritetet në Pekin me vendosjen e tarifave doganore, nëse ato nuk ndërmarrin masa për të ulur tepricën gjithnjë e më të madhe tregtare me Bashkimin Evropian. Gjatë vizitës në Kinë në fillim të dhjetorit, Macron u bëri thirrje drejtuesve të vendit që të forcojnë bashkëpunimin lidhur me pabarazitë “të paqëndrueshme” tregtare globale, gjeopolitikën dhe mjedisin.
“U përpoqa t’ua shpjegoj kinezëve se teprica e tyre tregtare është e paqëndrueshme, sepse po dëmton blerësit e tyre, sidomos për faktin që ata nuk importojnë më shumë prej nesh”, tha Macron në një intervistë të publikuar të dielën nga e përditshmja franceze Les Echos. “U thashë atyre se ne evropianët, nëse ata nuk reagojnë, do të detyrohemi në muajt e ardhshëm të ndërmarrim masa të forta, duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara, si p.sh. vendosja e tarifave doganore për produktet kineze”, shtoi ai.
Deficiti tregtar i BE-së me Kinën që nga viti 2019 është rritur me gati 60 për qind.
Macron në të kaluarën ka nxitur krijimin e një fronti të fortë evropian ndaj Kinës, duke i bërë thirrje Brukselit të zbatojë masa proteksioniste kundër-importit, me qëllim ngadalësimin e fluksit të mallrave kineze që dëmtojnë industrinë evropiane. Presidenti francez gjithashtu u ka bërë thirrje kompanive kineze të investojnë në Evropë dhe të “krijojnë vlera dhe mundësi për Evropën”.