Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Franca nuk dëshiron të nxisë një “Luftë të Tretë Botërore” për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, por është e gatshme të diskutojë mundësinë e vendosjes së armëve bërthamore në territorin evropian.
Në një intervistë për AFP, Macron theksoi rëndësinë e ndihmës për Ukrainën, por edhe nevojën për kujdes të madh: “Duhet ta ndihmojmë Ukrainën të mbrohet, por nuk duam të çojmë në një Luftë të Tretë Botërore.”
Ai nënvizoi se Franca është e hapur për të diskutuar me partnerët evropianë vendosjen e avionëve luftarakë francezë të armatosur me armë bërthamore në tokën e tyre — një praktikë që tashmë e ndjekin Shtetet e Bashkuara me praninë e armëve të tyre në disa vende të NATO-s.
“Amerikanët kanë bomba në avionë në Belgjikë, Gjermani, Itali dhe Turqi,” tha Macron, duke shtuar: “Ne jemi të gatshëm të hapim këtë diskutim. Do ta përcaktoj kornizën në mënyrë shumë të qartë në javët dhe muajt në vijim.”
Kjo deklaratë vjen në një moment të ndjeshëm për sigurinë evropiane, ndërsa tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë mbeten të larta.