Lladrovci: Hetimi i audio-incizimit nga Prokuroria është lajm i mirë – besoj në drejtësi
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili garon edhe për një mandat, ka thënë se është lajm i mirë fakti që Prokuroria ka nisur shqyrtimin e materialit të audio-incizimit që qarkulloi ditë më parë.
Ai e ka cilësuar këtë material si shantazh në kohë fushate, duke shtuar se incizimi është “i prerë dhe i ripunuar” dhe se është realizuar më 29 maj 2023, pas orës 17:00, në Hotel “Emerald”.
“E mirëpres këtë veprim, sepse kam kërkuar prej kohësh të bëhet hetim për audio incizimet nga një burim në Drenas… Publikimi i audio incizimit të gjymtuar ka për qëllim shantazhin në pikun e fushatës – dëmtim të imazhit, reputacionit dhe devijimin e vullnetit qytetar në procesin zgjedhor”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.
Ai tha se pret që të publikohen edhe incizime të tjera, në mënyrë që të zbulohet e vërteta, autorët dhe qëllimet e tyre, duke shtuar se është në proces të kallëzimit penal për këtë rast.
“Besoj në drejtësi!”, përfundoi Lladrovci.