LDK i tërheq vërejtje Kurtit: Shtyrja e agjendës pa 61 vota dëmton demokracinë, nuk lejojmë bllokim institucional


LDK: VV s’ka shumicën, pazaret politike s’mund të zëvendësojnë legjitimitetin demokratik

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka reaguar pas dështimit të radhës në Kuvend për konstituimin e legjislaturës së re, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shumicën e nevojshme për të formuar institucionet.

LDK vlerëson se kjo situatë u konfirmua sërish gjatë seancës së sotme, kur për herë të tretë Kuvendi nuk arriti të konstituohet, ndërsa kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare Kuvendi nuk siguroi votat e mjaftueshme.

“Sot Kuvendi i Republikës së Kosovës dështoi për herë të tretë të konstituohet, duke konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shumicën e domosdoshme parlamentare për formimin e institucioneve të reja. As pazaret politike dhe as shkeljet procedurale nuk mund të zëvendësojnë legjitimitetin demokratik dhe vullnetin e deputetëve të zgjedhur nga qytetarët”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Partia opozitare deklaron se nuk do të marrë pjesë në asnjë proces që, sipas saj, cenon rendin kushtetues, ndërsa akuzon Vetëvendosjen për përpjekje të vazhdueshme për të ndikuar mbi vullnetin e deputetëve përmes presioneve dhe kalkulimeve të dyshimta.

“Çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa shumicë absolute është cenim i demokracisë dhe shkelje e rregullave parlamentare”, thekson LDK.

Në komunikatë, LDK rendit pesë qëndrime kryesore:

  1. Pranimi i dorëheqjeve verbale nga anëtarët e Qeverisë të certifikuar si deputetë ka hapur rrugën për konstituimin formal të legjislaturës.

  2. LDK mbetet e palëkundur në refuzimin për të marrë pjesë në procese që cenojnë rendin kushtetues dhe procedurat demokratike.

  3. Çdo zyrtar që ka bërë betimin si deputet dhe vazhdon të marrë vendime ekzekutive pas 27 marsit, po shkel ligjin dhe duhet të hetohet.

  4. Pavarësisht përpjekjeve për presion dhe manipulim, realiteti është i qartë: Vetëvendosje nuk i ka numrat.

  5. Qeverisja kërkon minimalisht 61 vota – çdo tentativë për të qeverisur pa to është joligjore dhe anti-demokratike.

Në përfundim, LDK nënvizon nevojën për stabilitet institucional dhe legjitimitet të plotë politik, duke theksuar se nuk do të lejojë bllokadën e shtetit për interesa partiake.

“Rruga e vetme përpara është respektimi i plotë i Kushtetutës dhe i ligjit. Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë zëri i arsyes, i ligjshmërisë dhe i përgjegjësisë demokratike – gjithmonë në shërbim të qytetarit dhe të shtetit të Kosovës”, përfundon komunikata.